Fitnesi, ashtu siç e njohim sot, me palestra moderne, programe ushtrimesh dhe dieta të personalizuara, është produkt i një rruge të gjatë që ka kaluar përmes epokave, kulturave dhe nevojave të ndryshme të njeriut. Nuk ka nisur si modë, por si nevojë. Dhe çdo periudhë e historisë ka lënë gjurmën e vet në mënyrën se si e shohim dhe e trajtojmë trupin.
Në Greqinë e lashtë, ushtrimet fizike ishin pjesë e pandashme e edukimit. Qytetarët grekë, sidomos ata të Athinës dhe Spartës, e konsideronin trupin e stërvitur si një pasqyrim të shpirtit të disiplinuar. Palestërat e para (të quajtura “gymnasium”, nga fjala greke “gymnos” që do të thotë “lakuriq”) nuk ishin vetëm vende për stërvitje fizike, por edhe për kultivim mendor. Burrat grekë mësonin filozofi, matematikë dhe njëkohësisht bënin ushtrime fizike. Olimpiadat u krijuan si një manifestim i përkryerjes fizike dhe mendore.
Në Romën e lashtë, që pasoi qytetërimin grek, trupi humbi pak nga statusi idealist dhe u kthye në një mjet pushteti. Fitnesi për romakët ishte stërvitje ushtarake. Ushtria romake, një nga më të organizuarat në histori, kishte programe rigoroze fizike për të përgatitur trupin për qëndrueshmëri, luftë dhe marshime të gjata. Trupi i fortë shërbente më shumë për mbijetesë dhe ekspansion sesa për estetikë.
Por me rënien e perandorisë romake dhe ardhjen e mesjetës, trupi gradualisht humbi vlerën që kishte pasur. Në një epokë të dominuar nga feja dhe përkushtimi shpirtëror, aktiviteti fizik jo vetëm që u neglizhua, por shpesh u konsiderua i parëndësishëm apo edhe mëkat. Kultura e stërvitjes thuajse u zhduk për disa shekuj. Vetëm klasa fisnike që merrej me gjueti apo turne kalorësish, ruajti një formë primitive aktiviteti fizik.
Rilindja solli një ringjallje të interesit për trupin, të frymëzuar sërish nga idealet e lashta greke. Por ishte vetëm në shekullin XIX që filloi ndërtimi i asaj që sot do ta quanim “fitnes modern”. Gjermania dhe Suedia ishin dy nga vendet e para që krijuan sistemet e tyre të edukimit fizik, të bazuara në ushtrime të strukturuara për qëndrueshmëri, forcë dhe koordinim. Në këtë periudhë lindën edhe mjetet e para të stërvitjes, si shtangat, litarët, trajnerët manualë. Edukimi fizik u bë pjesë e sistemit shkollor.
Në fillim të shekullit XX, koncepti i trupit të bukur dhe të fortë mori një kthesë të re. Kultura e bodybuilding-ut lindi me figura si Eugen Sandow, i cili jo vetëm stërvitej, por pozonte në skenë, duke e kthyer trupin e tonifikuar në spektakël. Më vonë, figura si Arnold Schwarzenegger bënë që fitnesi të hynte përfundimisht në kulturën popullore, sidomos në Amerikë. Ndërkohë, për herë të parë, gratë filluan të kenë qasje në programe stërvitjeje fillimisht me forma të buta si aerobiku, e më pas me trajnime të plotfuqishme.
Shekulli XXI ka shndërruar fitnesin në një mënyrë jetese. Nuk ka më kufizime për moshë, gjini apo status shoqëror. Palestrat janë gjithkund, programet janë online, stërvitjet janë të personalizuara dhe qëllimet janë të ndryshme: nga dobësimi, tek rritja e muskujve, menaxhimi i stresit apo thjesht energjia ditore. Fitnesi nuk është më vetëm një aktivitet fizik është pjesë e identitetit personal, shëndetit mendor dhe mirëqenies së përditshme.
Dhe ndoshta, ky është rikthimi më i plotë i trupit në vlerën e vet të natyrshme si një bashkëudhëtar i mendjes, dhe jo thjesht një mjet pune apo shfaqjeje. Ky artikull u publikua nga Fitstation Media aty ku historia e trupit takohet me të ardhmen e shëndetit.