Si nisi Fitstation
“Gratë shpesh janë motori i gjithçkaje, por harrojnë të kujdesen për veten. Shëndeti nuk është luks – është themeli i gjithçkaje.”
Fitstation nuk lindi nga një ide biznesi. Lindi nga një ndjesi e thellë – një boshllëk që shumë gra e njohin, por rrallë flasin për të.
Isha 25 vjeç, nënë për herë të parë. Me një trup që nuk e njihja më dhe emocione që nuk mund t’i ndaja me askënd. Të gjithë më thoshin “Je mirë”, “Je me fat”, “Çfarë do më shumë?” – por brenda vetes ndihesha bosh. Nuk isha më unë.
Për muaj të tërë heshta. Derisa një ditë vendosa të flas. Pa filtra. Pa maska. Thjesht e vërteta ime. Dhe ndodhi diçka e papritur – shumë gra më shkruan. U ndjenë të përfshira. E ndjenin njësoj. Kështu nisi Fitstation – si një blog.
Fjalët u bënë frymëmarrje. Blogu u kthye në program televiziv. Por sa më shumë flisja për të ndihmuar të tjerat, aq më shumë kuptoja se po e harroja veten.

