E zbulova nëpërmjet menstruacioneve. I kisha shumë të çrregullta, kisha ankth, më merrej fryma shpesh, dhe ndihesha sikur trupi po më jepte sinjale që nuk i kuptoja. Kisha dhimbje barku të tmerrshme. I pyesja shoqet dhe më thoshin: ‘Është normale’. Edhe unë e lashë veten pas dore, me mendimin që ishte diçka që kalonte. Në …
Do mbaj kokën lart për djalin tim! Historia e Rovenës që sfidon për herë të dytë betejën me tumorin

Si e zbulove sëmundjen në fillim?
Sëmundjen e zbulova nëpërmjet menstruacioneve që i kisha të çrregullta. Kisha ankth dhe shpesh më merrej fryma, si dhe dhimbje barku shumë të forta. Pyesja shoqet dhe u thosha: “Si ka mundësi që po më ndodh kështu?” Më përgjigjeshin se ishte normale dhe unë e lija veten pas dore, duke menduar se ishte vërtet normale.
Një ditë, po ikja tek vëllai në Milano dhe gjatë udhëtimit me tren më plasi hemorragjia e parë. Aty i thashë vetes: “Këtu ka diçka që nuk shkon.” Të nesërmen shkova në spital dhe më shtruan direkt, duke më bërë biopsinë. Pas një muaji mora përgjigjen: tumor në qafën e mitrës.
Si është të dëgjosh për herë të dytë brenda një viti fjalën “tumor”?
(Ehhh, ç’të të them… Nuk ishte aspak e lehtë. Ajo ditë ishte shumë e veçantë, sepse po shkoja të merrja rezonancën e tumorit të parë. Isha e lumtur, pasi ndihesha mirë dhe pa asnjë shqetësim. Por kur doktorresha më tha: “Rovena, shiko se të ka dalë një tjetër tumor”, aty për aty nuk reagova. I thosha vetes: “Ti je e fortë.”
Por kur dola nga spitali, kam qarë aq shumë sa të gjithë njerëzit më shikonin. Mora motrën në telefon, sepse ajo është personi me të cilin ndaj gjithçka dhe që më kupton më shumë se kushdo. I dhashë lajmin dhe ajo nuk u ndje aspak mirë, sidomos kur doktorresha më tha: “Rovena, është urgjente. Duhet të bësh konsultë në Milano ose në Romë.”
Çfarë mendove kur doktori të tha që rikthehet?
Mendova vdekjen. Mendova për fëmijën tim dhe për familjen. Nuk ishte vetë sëmundja apo frika nga vdekja ajo që më rëndonte më shumë, por fakti që mund të lija fëmijën tim jetim dhe mamanë time me lot në sy gjithë jetën.
Çfarë nuk shohin njerëzit pas një buzëqeshjeje në Instagram?
Pyetje shumë e bukur kjo… Pas një buzëqeshjeje nuk shihen lotët, nuk shihen vuajtjet që vetëm shpirti i di. Në Instagram jam munduar të jem sa më transparente, sepse dua të jap një mesazh të pastër për femrat dhe meshkujt që vuajnë.
Sa herë ke qarë vetëm dhe ke heshtur për të mos shqetësuar të tjerët?
Uhh… sa herë! Pothuajse çdo ditë dhe çdo natë. Para njerëzve mbaj një maskë, një maskë të bukur që ata të mos kuptojnë se këtë gjë po e vuaj me zemër dhe me shpirt.
A ndihesh ndonjëherë si barrë për njerëzit e tu më të dashur?
Po, ndonjëherë e ndjej veten si barrë. Jo sepse ata nuk më duan, por sepse po i mundoj shumë. Ata vuajnë bashkë me mua, edhe pse nuk ma shprehin. Nuk do kisha dashur kurrë që njerëzit e mi më të dashur të më shihnin në këtë gjendje.
A ka pasur ditë që nuk ke dashur të zgjohesh?
Po, ka pasur. Janë ato momente kur qaj dhe mendja më shkon kudo.
Si ndryshon lidhja me trupin tënd kur ai bëhet një fushë beteje?
Trupi që dikur ishte një shtëpi e sigurt, bëhet një vend i panjohur. Por mundohem të jem pozitive, të ec, të bëj gjërat që kam bërë gjithmonë.
A ndihesh ende femër kur humbet flokët apo fuqinë?
Patjetër që po! Madje jam ndjerë më shumë femër se kurrë. E dua veten time kështu siç jam, sepse jam e bukur. 😂♥️
Si është të shohësh veten në pasqyrë dhe të mos e njohësh?
Ditët e para janë shumë të vështira, sidomos momenti kur preva flokët. Flokët i preva live në TikTok dhe u bë shumë virale – ishin mbi 6-7 mijë njerëz që më shikonin dhe qanin me mua. Ai moment ishte shumë i vështirë. Mbi 6-7 djem prenë flokët për mua dhe një vajzë e martuar me dy fëmijë gjithashtu i preu. Jam shumë mirënjohëse për dashurinë dhe mbështetjen që më japin të gjithë shqiptarët me aq sa munden.
Ku e gjen forcën kur nuk ke më fuqi?
Forcën e gjej tek djali im, Diego, që është 12 vjeç, dhe tek familja ime.
Çfarë do i thoje një vajze tjetër që sapo ka marrë të njëjtin lajm?
Do i thoja që në asnjë moment të mos e ulë kokën. Të mbajë veten fort. Edhe kur kimioterapia të mundon, të mos dorëzohet. Ne jemi të bukura me apo pa flokë. Zoti, kur krijoi femrën, krijoi mrekullinë e botës. Forcën e kemi brenda vetes!
Çfarë ëndërron më shumë sot: shërimin apo përqafimin?
Të dyja, sepse për t’u shëruar duhet dashuri. Përqafimi të ngroh shpirtin, një fjalë e mirë ta ndryshon ditën. Ndaj njerëz, falni sa më shumë dashuri, sepse nga kjo botë vetëm kujtimet e bukura do marrim me vete.
A beson te mrekullitë?
Po. Zoti ka bërë mrekulli për mua, sepse më ka dhënë shumë forcë për të përballuar këtë sëmundje me buzëqeshje. Më ka dhënë mundësinë të flas për sëmundjen time pa frikë. Më ka afruar shumë njerëz të mrekullueshëm që çdo ditë më japin dashuri me mesazhet e tyre… dhe kjo është një mënyrë e Zotit për të më thënë: “Rovena, ti nuk je vetëm!”
A është më e rëndë barra e diagnozës apo e faturave?
Me thënë të drejtën, të dyja janë të rënda. Sëmundja kërkon jo vetëm forcë fizike, por edhe shumë përballje ekonomike. Unë jam pa punë, nuk kam të ardhura. Familja ime nuk ka shumë mundësi. Jetoj me qira, duhet të paguaj ujë, drita, gaz, ushqim, veshmbathje. Djali ka shpenzimet e tij dhe sa herë që vij në spital, duhet të paguaj taksi sepse nuk kam makinë. Nuk kam asgjë…






