Në një botë me bollëk informacioni dhe ushqimi, kemi harruar si të dëgjojmë trupin tonë. Kur “shëndeti” kthehet në presion dhe dieta në stres, vjen koha për të rikthyer balancën – jo përmes trendeve, por përmes vetëdijes.
Jetojmë në një kohë kur ushqimi nuk mungon. Supermarketet janë gjithnjë plot, frigoriferët nuk janë bosh, ndërsa rrjetet sociale na mbushin çdo ditë me ide për receta “të shëndetshme”. Na është thënë se duhet të hamë bio, pa gluten, pa sheqer, me pak karbohidrate, me më shumë proteina, me yndyrna të mira. Dhe shumica prej nesh përpiqen t’i ndjekin këto rregulla, disa madje obsesivisht.
Por ndërkohë që “hamë më mirë”, po sëmuremi më shumë. Hashimoto, PCOS, intoleranca ndaj ushqimeve, infertiliteti, ankthi, depresioni, lodhja kronike — janë bërë fjalë të zakonshme në përditshmërinë tonë. Të paktën një në tre gra që njohim ka një problem me tiroiden ose ciklin hormonal. Meshkujt po përballen me rënie të testosteronit dhe energjisë që në moshë të re. Dhe kur nuk është trupi, është mendja që dorëzohet.
Pra, ku po gabojmë?
Ironikisht, duket se përpjekja për të jetuar më shëndetshëm po na lodh më shumë sesa na shëron. Sepse në vend që të dëgjojmë trupin, kemi nisur të ndjekim tendencat. Në vend që të gjejmë balancën, kemi rënë në ekstrem. Në vend që të pyesim veten: “Çfarë më bën mirë mua?”, pyesim TikTok-un: “Çfarë po ha ajo vajza me bark të sheshtë?”
Dhe më e frikshmja është se edhe ekspertët shpesh janë të hutuar. Recetat e njëjta që japin për të gjithë. Suplementet që shiten si zgjidhje universale, por që tek shumë njerëz nuk kanë asnjë efekt — përveçse zbrazin kuletën. Çaji i radhës për detoks, proteina e re me shije keku, kolagjeni që premton mrekulli. Të gjitha duken të bukura në kuti, por në praktikë shpesh s’kanë lidhje me nevojat tona të vërteta.
Shëndeti nuk është trend. Nuk është dietë tre-javore. Nuk është “summer body”. Është një mënyrë jetese që nuk matet me kilogramë apo ndjekës në Instagram. Dhe nuk ka asnjë “influencer” që e njeh trupin tonë më mirë sesa ne vetë.
Është koha të ndalojmë. Të rimendojmë gjithçka. Të kuptojmë se ndonjëherë shëndeti fillon nga diçka aq e thjeshtë sa frymëmarrja e thellë në mëngjes, ose një vakt i thjeshtë, me përbërës të pastër. Pa faj. Pa ankth. Pa presion.
Sepse ndonjëherë, ajo që na sëmur nuk është ajo që hamë — por mënyra si jetojmë, si mendojmë, si i qasemi vetes.